Connect with us

Sporti

Analiza e Presidentit Duka: Nga Kombëtarja, kampionati, mbledhja e KE së UEFA-s në Tiranë deri te finalet e Euro 2027 U-21 në Shqipëri

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për Klan News me gazetaren Viola Spiro. Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit foli për rinovimin e kontratës me trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij, ndërsa shtoi se objektivi i përbashkët është kualifikimi në Kupën e Botës 2026. Gjithashtu, ai komentoi dy ndeshjet e para në UEFA Nations League dhe e konsideroi një nisje të mbarë rrugëtimin e ri në këtë kompeticion.

Presidenti Duka nënvizoi se ekipi kuqezi mund të renditet në të dyja pozicionet, qoftë në krye të grupit, por edhe në fund. Ajo çfarë ai theksoi është se skuadra duhet të luftojë në çdo sekond dhe të marrë çdo pikë të mundshme, teksa vlerësoi edhe njëherë me nota pozitive kompeticionin e Ligës së Kombeve, që i jep mundësi skuadrave të rriten më shumë.

Presidenti i FSHF-së u ndal edhe tek kampionati shqiptar dhe komentoi ecurinë e deritanishme të edicionit të ri futbollistik, ndërsa foli edhe për skemën “Final 4”, duke e konsideruar si një skemë që dhuron më shumë garë, interes, ndershje dhe emocione. Ndër të tjera, numri një i futbollit në Shqipëri komentoi edhe vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të rritur numrin e lojtarëve të huaj që luajnë në kampionatin vendas dhe tregoi arsyet se pse është marrë një vendim i tillë, duke nënvizuar se kjo ishte një kërkesë e klubeve.

Advertisement

Kreu i Federatës foli edhe për organizimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutit të UEFA në Tiranë, si dhe komentoi edhe kandidimin për UEFA Euro U21 2027 së bashku me Federatën Serbe të Futbollit. Ai theksoi se ky event sjell shumë të mira për vendin tonë dhe që të gjithë duhet të mos gjykojnë emocionalisht, pasi është vetëm një garë sportive.

Në fund, Presidenti Duka tha se pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian ishte edhe momenti më emocionues i këtij viti futbollistik.

Rinovimi i kontratës me trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij? – Rinovimi i kontratës me Silvinjon dhe rikonfirmimi i të gjithë stafit të ekipit Kombëtar nuk është vetëm një opinion apo dëshirë e imja, është rrjedhë logjike e punës dhe kontributit që ka bërë Silvinjo dhe i gjithë stafi i tij me ekipin Kombëtar, performanca gjatë kësaj periudhe dhe rezultati, kualifikimi në Europian. Padyshim që mbase do të ishim shumë më të lumtur nëse do të kishim ndonjë pikë më shumë në Europian apo një paraqitje më të mirë në një ndeshje që vërtetë kishte pikëpyetje në Europian. Por, në përgjithësi Europiani ishte i mirë. Në një rrjedhë logjike normale një staf dhe skuadër që ka bërë rezultat historik, më i miri në historinë e Shqipërisë kualifikimi për herë të dytë në Europian. Ishte një kampionat vërtetë ndryshe dhe më i bukur se Euro 2016. Kënaqësia që morën njerëzit në këtë Europian, e kemi lexuar dhe parë te të gjithë ato që kanë qenë në Gjermani, por edhe ato që nuk kanë qenë e kanë përjetuar me shumë kënaqësi. Vërtetë ishte një Europian shumë i mirë. Ishte një rrjedhë logjike, e performancës, kontributit dhe kënaqësisë që i ka dhënë të gjithë njerëzve. Në fund të fundit futbollit për këtë është.

Objektivi i Silvinjos në të ardhmen? – Objektivi i vetëm që ka Silvinjo, futbollistët dhe të gjithë ne, që të tentojmë për të shkuar në Kampionatin Botëror. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk është një objektiv i lehtë dhe është i vështirë. Gjërat e vështira duam më shumë impenjim dhe punë, ne këtë po e bëjmë. Padyshim që duhet edhe më shumë kualitet. Objektivi mbetet real për Shqipërinë, duke parë performancën që ekipi Kombëtar ka patur në kualifikuese dhe në Europian. Ndeshja ndaj Kroacisë ishte e nivelit botëror, ku ekipi jonë meritonte më shumë në rezultat. Edhe ndeshja me Spanjën ishte e mirë dhe duke parë të gjitha këto, ne kemi mundësi reale për të luftuar. Mbetet për t’u parë, por ky është objektivi. Ky nuk është një objektiv që cënon ekzistencën e Silvinjos dhe stafit të tij, por mbetet një objektiv për t’u luftuar nga të gjithë së bashku. Shpresoj që ta realizojmë.

Advertisement

Dy ndeshjet e para në UEFA Nations League? – Në futboll nuk ka më pushim, mbaron një kompeticion dhe fillon një tjetër. Të mbash të njëjtin ritëm është një gjë e vështirë. Këtu bëhen edhe diferencat e skuadrave të mëdha me ato më pak të mëdha apo të vogla nga pikëpamja mentale, që janë gjithmonë gati për çdo lloj kompeticioni. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Nations League është një kompeticion shumë i rëndësishëm për të gjitha benefitet që mund t’i sjellë futbollit dhe për të realizuar objektivat tona. Nëpërmjet Nations League mund të jesh pjesë e play-off-it, padyshim mundësitë janë më të pakëta, pasi nëpërmjet kualifikueseve janë më të mëdha. Por, rezulatet e mira ndihmojnë edhe në klasifikimin e Shqipërisë dhe për shortin e 13 dhjetorit. Unë jam i kënaqur për mënyrën se si ka filluar. Pas Europianit dhe një super suksesi, në përgjithësi skuadrat më pak të mëdha kalojnë në një lloj relaksi dhe nuk e kanë ritmin e duhur. Në pritshmëritë e mia jemi mirë. Fituam në Pragë kundër Ukrainës, por nuk mund të fitosh gjithmonë dhe kjo ndodhi me Gjeorgjinë në Tiranë. Mbase ajo që mund të menaxhonim më mirë është lodhja, pasi dy ndeshje në tre ditë për një skuadër që jo të gjithë futbollistët janë në 90 minuta me ekipet e tyre është pak e vështirë. Mbase lodhja nuk u menaxhua mirë, por nga ana tjetër edhe Gjeorgjia me të njëjtët lotjarët luajti dhe fitoi. Këto nuk janë formula fikse, por mbase mund të bënim më mirë. Fillimi për mua është i mbarë dhe ne jemi në lojë dhe pretendentë për çdo pozicion të grupit. Skuadrat janë shumë të mira dhe është një grup i balancuar. Nuk është çudi që të fitosh dhe të humbësh brenda apo jashtë kundër çdo skuadre, kështu që mbetet për t’u parë dhe nuk është shumë larg, pasi më 11 tetor kemi një ndeshje shumë të rëndësishme në Pragë kundër Çekisë. Është një lloj kryqëzimi për të dy skuadrat. E njëjta gjë ka qenë edhe në kualifikueset e Europianit, ndeshja me Çekinë ishte kyçe për të mbetur në lojë për kualifikimin. Morëm një rezultat të kënaqshëm dhe u kualifikuam. Uroj të ndodhë e njëjta gjë edhe në tetor. Mund të dalim të parët në grup, por edhe të fundit. Duke qenë kaq i balancuar, çdo rezultat është i pranueshëm. Është shumë e rëndësishme që stafi dhe të gjithë ne të injektojmë te futbollistët këtë lloj mentaliteti. Që ky është një grup që duhet të luftosh në çdo sekond. E veçanta e këtij kompeticioni është që të duhet çdo pikë dhe çdo gol. Çdo pozicionim në Nations League është i rëndësishëm për ekipin Kombëtar, për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të shkuar në play-off, për të përmirësuar renditjen për shortin e Kampionatit Botëror dhe pse jo për t’u ngjitur në një vazo më lart në Ligën A ku luajnë ekipet elitë të Europës dhe për mos të rënë në një ligë më poshtë ku luajnë ekipet të një niveli më pak të mirë sesa B-ja. Mund të rritesh vetëm duke pasur kompeticione të tilla, si Nations League apo si ai që kishim në Europian kundër Italisë, Spanjës e Kroacisë.

Kampionati shqiptar dhe formula “Final 4” – Kampionati i ri kombëtar, si “Abissnet Superiore” por edhe ai i Kategorisë së Parë kanë nisur mirë në këndvështrimin tim, edhe në nivelin sportiv edhe në nivelin organizativ. Ka shumë ndryshime edhe nga një vit më parë dhe uroj të ruajë të njëjtin ritëm. Ka më pak gabime arbitrare se një vit më parë, më shumë respekt për garën nga të gjithë aktorët dhe uroj që të vazhdojë kështu dhe të shënojë një hap pozitiv në të mirë të kampionatit të futbollit në përgjithësi. Ndryshimi që u bë vitin e kaluar, ku ekipet që do të luajnë në kompeticionet europiane përcaktohen përmes një turneu “Final 4”, që ishte vërtet pozitiv vitin e kaluar, por unë pres të jetë edhe më shumë pozitiv këtë vit. Pa dyshim që ka diskutimet e veta, pa dyshim që ka edhe skepticizmin e vet. Ka gjërat e veta pozitive dhe negative, jo vetëm kjo skemë, jo vetëm kjo formulë, por çdo skemë e formulë loje. Ajo çka duhet vlerësuar është se çfarë ka më shumë pozitive dhe më pak negative. Dhe unë mendoj që kjo i jep një zhvillim më shumë futbollit, i jep më shumë interes, më shumë garë, më shumë ndeshje dhe më shumë emocion.

Rritja e numrit të lojtarëve të huaj që luajnë në kampionat – Ka qenë një diskutim i gjatë për të marrë vendimin që të ndryshojë limiti i lojtarëve të huaj që luajnë në kampionatet shqiptare Abissnet Superiore dhe Kategorisë së Parë. Ka shumë kohë dhe në formë debati mes politikave të Federatës dhe interesave të klubeve. Interesat e klubeve janë që të bëjnë më shumë biznes dhe ta investojnë këtë biznes në futboll për të riprodhuar futboll. Klubet pretendojnë dhe ne, përmes vendimit e kemi gjykuar të drejtë që duke pasur më shumë mundësi për futbollistë të huaj mund të bëjnë më shumë rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare dhe mund të kenë më shumë të ardhura. Dhe duke marrë statistikat e disa kampionateve të tjera, që nuk kanë limite në numrin e futbollistëve të huaj, na ka rezultuar që kanë pasur rezultate më të mira se ne në Europë. Dhe nisur nga kërkesa e klubeve dhe eksperienca dhe statistikat e kampionateve të tjera në Europë, kemi vendosur që të ndryshojë. Për të mos bërë një ndryshim drastik, kemi vendosur që në janar nga 5 futbollistë të bëhet 7 dhe në edicionin e ardhshëm, për kampionatin “Abissnet Superiore” numri i lojtarëve të huaj që do të aktivizohen në një skuadër të jetë pa limit. Për të pasur më shumë rezultate pozitive, për të shkuar më larg në kompeticionet europiane dhe unë mendoj që ky kampionat e meriton që të jetë të paktën në grupet e Conference League, në mos edhe më lart. Ndërsa Kategoria e Parë, që është më pak e ekspozuar në aktivitetet europiane, është menduar që të vazhdojë po me 7 futbollistë të huaj, që ato të rinj që nuk gjejnë hapësira në kampionatin “Abissnet Superiore” të gjejnë më shumë hapësira në kategoritë e tjera. Në njëlloj mënyre, edhe konkurrenca sportive rritet, sepse duhet të luftosh më shumë për të pasur një vend në ekipet e Abissnet Superiore. Çdo vendim ka anët pozitive dhe negative. Dhe ky padyshim që mund të komentohet nga të gjitha këndvështrimet, por u mundova që të shpjegoj se kush janë të mirat dhe ato që kemi menduar ne për të marrë këtë vendim.

Mbledhja e KE së UEFA-s në Tiranë – “Ishte kërkesë e jona për të organizuar një event. Ne kërkojmë të organizojmë sa më shumë evente në Shqipëri dhe realisht kemi organizuar disa takime të rëndësishme në Tiranë, në nivel europian. Edhe këtë muaj kemi dy takime të tjera, një që është takim i Komitetit të Mediave dhe një tjetër për projektet me përgjegjësi sociale për të gjitha vendet e Europës. Edhe takimet e Komitetit Ekzekutiv konsiderohen evente të rëndësishme, që e vënë Federatën dhe vendin në qendër të një lajmi, qoftë një ditë, një javë apo më shumë se sa kaq. Normalisht konsiderohet një zhvillim pozitiv. Komiteti Ekzekutiv nuk është se mund të vendosë lehtë për të zhvilluar apo spostuar një mbledhje në një vend pa parë ato eksperiencat e mëparshme, që duhet të kenë qenë pozitive. Duke pasur parasysh këto, kështu janë vendosur qoftë finalja e Conference League – për mua eventi më i madh që është zhvilluar në Shqipëri – qoftë Kampionati Europian i 17-vjeçarëve që do të zhvillohet në 2025-ën, apo të gjitha aktivitetet e tjera ndërkombëtare. Janë benefite në përgjithësi imazhi, për futbollin, për Federatën, por edhe për vendin në përgjithësi”.

Advertisement

Europiani U-21 – “Ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Europian U-21 në Shqipëri për vitin 2027, si fillim vetëm, më pas kemi bashkuar konkurrimin tonë bashkë me Serbinë. Në fakt nga dita që kemi aplikuar e deri më sot është bërë shumë punë, janë përgatitur shumë dokumente për të përgatitur dosjen për të qenë pjesë e kësaj gare. Me këtë rast falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për t’i përgatitur, pasi është një volum shumë i madh, që nuk përfshin vetëm Federatën e Futbollit, por edhe qeverinë shqiptare, bashkitë, përfshin gjithë infrastrukturën që duhet, hotelerinë, aeroportin që është shumë i rëndësishëm. Mendoj se kemi përgatitur dokumentacionin e duhur për të qenë organizatorë të kësaj gare, që për mua e çdokënd ka vetëm benefite sportive për Shqipërinë. I pari benefit sportiv është që Shqipëria merr pjesë në ato finale pa kualifikuese. Është një shans që deri më sot nuk ka ndodhur që U21-shi jonë të jetë në një Kampionat Europian, gjë që do t’i ndihmonte futbollistët tanë dhe ekipet shqiptare në përgjithësi. Ndihmon ndryshimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri. Ndihmon edhe kampionati i 17-vjeçarëve në 2025-ën, sepse për ta bërë atë ne toerikisht kemi aplikuar që do të bëjmë kaq fusha, kaq stadiume etj, etj. Tani ne do t’i bëjmë, pasi nëse nuk i bëjmë nuk realizohet kampionati. Pra përfiton infrastruktura akoma më shumë në 2027-ën me U-21. Në fund të fundit ne do të luajmë në Shqipëri dhe Serbia në Serbi, por bashkëkandidimi është një faktor i rëndësishëm. Ne vetëm nuk kemi mundësi ta organizojmë. Gjithsesi kjo edhe ka ngjallur diskutime, ka edhe në një lloj mënyre kundërshtime. Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë emocionalisht, duhet të gjykojmë akoma më shumë. Padyshim nuk kam një pozicion kritik për ata që gjykojnë emocionalisht, por i ftoj që të gjykojmë ndryshe. Pa harruar të shkuarën ne duhet të ndërtojmë të ardhmen dhe kush më mirë se futbolli mund t’i japë këto mesazhe bashkëpunimi, solidariteti. Në fund të fundit ne nuk kemi vetëm një bashkëpunim me Serbinë, atë përmes futbollit, kemi edhe bashkëpunime në fusha të tjera, bashkëpunime politike, tregtare, pavarësisht se jemi kritik në shumë gjëra. Ne duhet të ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të shkuarën. Vërtetë mbase periudha nuk është shumë e gjatë nga ajo çfarë ka ndodhur mes popullit tonë dhe atij serb, apo ushtarëve serb dhe popullit tonë. Ka shumë historira të tjera popujsh ashtu sikurse ne. Futbolli ka ndikuar aq sa mund të ndikojë pozitivisht. Në fund të fundit ne do të bëjmë një kampionat sportiv, ky është një aktivitet sportiv. Në këndvështrimin tonë, qëllimi jonë është thjesht benefite sportive. Ne do të luajmë në Shqipëri, grupi tjetër në Serbi”.

Momenti më emocionues i vitit – Gjëja më e bukur ka qenë Kampionati Europian dhe emocionet më të bukura m’i ka dhënë kampionati Europian. Jo vetëm mua besoj por çdo shqiptari. Është shumë kënaqësi të marrësh pjesë në momente të tilla, është shumë bukur por nganjëherë mendoj që mos të jem më një pozicion të tillë, sepse ngarkesa ka qenë kaq e madhe emocionale dhe psikologjike, deri në nivelin e papërballueshëm. Por është ngjarja më e bukur e ndodhur në historinë e Shqipërisë dhe jo vetëm në këtë vit.– E kam thënë para ndeshjes me Italinë kisha emocione të jashtëzakonshme. Takova një homolog të një vendi tjetër që nuk ishte pjese e Europianit dhe më pyeti si isha. I thashë jam shumë keq dhe më tha pse. I thashë kam emocione. Më tha, ah sikur t’i kisha unë emocionet e tua. Këto janë emocione të bukura që duhet t’i përjetosh.

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Advertisement

Continue Reading
Advertisement

Sporti

SKËNDERBEU 3 ndeshje 3 fitore/ Pesce MVP, Mehmeti super, Souza shënuesja më e mirë!

Ditën e sotme Skënderbeu në volejboll për femra ka bërë detyrën në shtëpi duke mposhtur bindshëm Vllazninë me rezultatin e pastër 3-0. Një ndeshje që në fakt foli për vajzat bardhekuqe që bindën në të tre setet dhe tashmë pas kësaj fitoreje e shohin veten në krye së bashku me Partizanin me nga 9 pikë të plota.

Pas përfundimit të ndeshjes menjëherë klubi bardhekuq dhe veçanërisht stafi teknik me në krye trajnerin Orlando Koja, kanë shpallur edhe lojtaret më të mira të këtij takimi.

Sërish Fabiana Pesce është padyshim lojtarja më e mirë, ndërkohë që Mehmeti ka bërë një paraqitje super dhe pikëshënuesja më e mirë Souza me 15 pikë, ishin tre protagonistet e kësaj fitoreje të pastër ndaj Vllaznisë.

Advertisement

Pas javës së 3-të Skënderbeu vazhdon të tregojë se është pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion, ndërkohë që ndeshja e radhës do të jetë në kryeqytet ndaj Barleti Volley dhe do të luhet në datën 5 tetor.

Një tjetër fitore do të kërkojnë vajzat e rrjetës së Skënderbeut ndaj Barletit dhe skuadra vazhdon të tregojë nga ndeshja në ndeshje rritje në lojë.

Suksese vajzave të Skënderbeut!

Kalendari i Skënderbeut në volejboll për femra 2024-2025

Advertisement

FAZA I

Java 1 Skënderbeu-Teuta 3-1

Java 2 Dinamo-Skënderbeu 0-3

Java 3 Skënderbeu-Vllaznia 3-0

Advertisement

Java 4 Barleti Volley-Skënderbeu          5 tetor 2024            Ora 17:00

Java 5 Skënderbeu-Pogradeci                12 tetor 2024          Ora 17:00

Java 6 Skënderbeu-Partizani                  18 tetor 2024          Ora 17:00

Java 7 Tirana-Skënderbeu                       25 tetor 2024          Ora 18:00

Advertisement

FAZA II

Java 8 Teuta-Skënderbeu                        31 janar 2025         Ora 14:00

Java 9 Skënderbeu-Dinamo                    8 shkurt 2025         Ora 17:00

Java 10 Vllaznia-Skënderbeu                  14 shkurt 2025       Ora 14:00

Advertisement

Java 11 Skënderbeu-Barleti Volley       22 shkurt 2025       Ora 17:00

Java 12 Pogradeci-Skënderbeu             14 mars 2025          Ora 17:00

Java 13 Partizani-Skënderbeu                21 mars 2025          Ora 17:00

Java 14 Skënderbeu-Tirana                    28 mars 2025          Ora 17:00

Advertisement

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Continue Reading

Sporti

“Ujqërit” gati të “kafshojnë” nesër Tiranën!

Dita e ndeshjes mes Tiranës dhe Skënderbeut, erdhi. Skënderbeu ka mbyllur përgatitjet anti-Tirana dhe ndodhet në Durrës në pritje të ditës së nesërme, teksa disa orë përpara ndeshjes do të udhëtojë drejt kryeqytetit për të qenë gati në orën 19:00 në përballjen ndaj Tiranës.

Edhe pse shkalla e vështirësisë është më e madhe, pasi luhet në transfertë, Skënderbeu nuk e ka “frikë” aspak Tiranën e Bledi Shkëmbit. Madje pa frikë bardhekuqtë do të luajnë për tre pikë në këtë 90 minutësh dhe këtë e thonë hapur në kampin korçar.

Pas seancës së fundit stërvitore, duket se grupi është gati dhe e rëndësishme është që nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar, apo lojtar që nuk do të luajë për shkak kartonësh, pasi asnjë nuk e ka plotësuar numrin 4-ër të të verdhave.

Advertisement

Porositë e fundit skuadra do ti marrë përpara nisjes së të dielës pasdite drejt Tiranës, ndërkohë që disa orë përpara ndeshjes ekipi do të ketë edhe një takim me presidentin Ardjan Takaj ku do të jepen porositë e fundit edhe nga njëshi i klubit.

Optimizmi duket se është prezent në të gjithë skuadrën korçare dhe grupi i lojtarëve është i bindur që pas kësaj ndeshjeje do të kthehet me pikë nga kryeqyteti.

Tashmë radhën e ka fusha, ndërkohë që në Korçë besojnë shumë që ky Skënderbeu do ja dalë në këtë ndeshje kaq të fortë ndaj Tiranës.

Forca “ujqër”! Forca Skënderbe!

Advertisement

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Sporti

Dinamo fitore të çmendur me Vllazninë/ Nesër Tirana-Skënderbeu!

Dinamo ka mposhtur 2 me 1 Vllazninë në “Elbasan Arena”.

Edhe pse Vllaznia mbylli me avantazh pjesën e parë të ndeshjes së vlefshme për javën e 7-të të Superiores, dinamovitët përmbysën gjithçka në të dytën.

Gjithçka erdhi pas daljes me karton të kuq të Salës nga Vllaznia, i cili ishte dhe autori i golit për shkodranët në pjesën e parë. Dinamo shënoi fillimisht me Itodo Mandelën në minutën e 79-të, ku i erdhi në ndihmë VAR pasi fillimisht anësori akordoi pozicion jashtëloje.

Advertisement

Më pas Bregu e ktheu në dramë. Lojtari i afruar në merkaton e verës shënoi për Dinamon dhe 2 me 1 në sekondat e fundit të takimit.

Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme Teuta ka mposhtur Laçin brenda në shtëpi me rezultatin minimal 1-0.

Nesër vjen radha e Skënderbeut që do të luajë transfertën me Tiranën në orën 19:00, ndërkohë që më poshtë sjellim tabelën me rezultatet:

JAVA E SHTATË E SUPERLIGËS

Advertisement

TË PREMTEN 27 SHTATOR 2024 

EGNATIA-PARTIZANI 0-2

TË SHTUNËN 28 SHTATOR 2024 

LAÇI-TEUTA 0-1

Advertisement

DINAMO-VLLAZNIA 2-1

TË DIELËN 29 SHTATOR 2024 

ORA 16:00 BYLIS-ELBASANI

ORA 19:00 TIRANA-SKËNDERBEU

Advertisement

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Sporti

Skënderbeu në volejboll meshkuj mund pastër Vllazninë

Skënderbeu- Vllaznia 3-0

(25-20, 25-18, 25-22)

Një tjetër ndeshje mjaft e mirë për djemtë e trajnerit Arben Prifti këtë javë kur kanë fituar në Korçë kundër ekipit të Vllaznisë. Në setin e parë ka pasur disa herë ekulibra në pikë por në fund korçarët fitojnë 25-20. Në setin e dytë kemi një barzim në 17-17 dhe më pas janë tetë pikë të korçarëve radhazi, pa asnjë mundësi kundërshtarëve. Në setin e tretë Vllaznia jep gjithçka dhe korçarët kanë treguar se kanë qetësinë dhe forcën e duhur që të fitojnë 25-22.

Advertisement

REDAKTUAR nga : “KORÇA BOOM”

Continue Reading

Sporti

Doka nesër ndaj Tiranës nga minuta e parë?! Ja ç’thotë njëshi i stolit bardhekuq

Albi Doka është një futbollist që e njeh mjaft mirë Tiranën, kjo për faktin se ka qenë pjesë e tyre. Ai ka vetëm disa javë që është bashkuar me korçarët dhe me sa kuptohet nuk ka arritur formën e tij fizike të plotë.

Vetë trajneri Gvozdenoviç kur është pyetur direkt me emër nga gazetarët se do të jetë Doka në fushë si titullar si ka deklaruar: ” Doka e njeh mirë kundërshtarin, por nuk është për momentin gati të jetë nga minuta e parë në lojë.”

Kështu duket qartë se Gvozdenoviç edhe këtë ndeshje nuk do ta ketë Dokën në fushë nga minuta e parë, por duke parë cilësitë e tij do të jetë një forcë për javët në vazhdim. Kampionati është në hapat e para dhe ka një rrugë të gjatë.

Advertisement

REDAKTUAR nga :

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Kategoria 1

Liqenorët një tjetër humbje minimale në trasfertën e Vorës

Vora- Pogradeci 1-0

Shënues:Ruzgis 76’

Pogradeci ka pësuar një humbje minimale në Vorë në një ndeshje që në përgjithësi ka qënë e mirë për të dy ekipet. Pjesa e parë ishte totalisht e ekulibruar madje mund të thuhet se liqenorët kishin disa mundësi më shumë shënimi se kundërhstari por Beçka dhe Karabatiç nuk kishin saktësinë, por meritë kishte dhe portjeri vendas Ruçi që shpesh herë është bërë shpetimtar.

Advertisement

Në pjesën e dytë e fillojnë po mirë liqenorët , duke qënë superiurë në mesfushë , por edhe kundërshtarët kanë ritur ritmin dhe për pasojë shënojnë në minutën e 76 me anë të Ruzgis. Pas këtij moment trajneri Nikaj bën shumë ndryshime duke hedhur në fushë gjithë “gardën” e liqenorëve me gjithë përpjekjet rezulati nuk ndryshoi

REDAKTUAR nga : “KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Sporti

Volejboll/ Skënderbeu fiton ndaj Vllaznisë

Skënderbeu- Vllaznia 3-0

(25-13, 25-19, 25-11)

Skënderbeu në volejboll për femra ka marrë fitoren e radhës. Këtë herë ka pritur ekipin e Vllaznisë në një ndeshje që e kanë dominuar në çdo set të takimit. Nuk kishte asnjë moment rivaliteti, këtë e tregojnë edhe pikët ku korçarët marrin setin e parë 25-13.

Advertisement

Në setin e dytë kemi një rritje me pikë të Vllaznisë që shkon deri 19, por vetëm kaq. Korçaret luajnë mirë në çdo aspekt të lojës. Setin e tretë e mbyllin me më shumë diferencë se të parat 25-11.

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Sporti

Trajneri mbështet idenë e portierit Marko Alia…

Në një intervistë që kishte dhënë para disa ditësh gardiani i portës korçare Marko Alia kishte deklaruar se: “Nuk ka çështje përgjegjësie vetëm tek mbrojtësit, por është një situatë komplekse që ka sjellë këtë rezultat. Ekipi ka balancën e duhur që të tregojë forcën e vet”.

Duket se edhe Gvozdenoviç është në këtë linjë me të kur ka deklaruar se: “Kur pësojmë gola përgjegjësia është e të gjithëve, kur jemi me top sulmojmë të gjithë kur humbim topin kthehemi në mbrojtje dhe ndihmojmë. Ne po punojmë të gjithë së bashku të ndreqim gabimet”.

Pra duket se Gvozdenoviç më shumë i mëshon faktit në taktikën e lojës dhe marrjen e përgjegjësive.

Advertisement

REDAKTUAR nga :

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Sporti

“Elite Youth Development Academy”/ Futbollistët e vegjël: Shpresojmë që ky projekt të na bëjë ëndrrën realitet

“Shpresojmë që projekti “Elite Youth Development Academy” të na plotësojë ëndrrën për t’u bërë futbollistë”, – në këtë mënyrë janë shprehur lojtarët e talentuar të “Elite Youth Academy” që kanë nisur një rrugëtimi të ri në jetën e tyre. Projekti më i ri i Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n po ecën në rrugën e duhur dhe çdo ditë nga e hëna në të enjte, talentët e përzgjedhur trajnohen nga specialistët e ekipeve Kombëtare në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Projekti po ecën sipas planit dhe fëmijët e përzgjedhur nga rrethet qëndrojnë dhe studiojnë në Tiranë nën kujdesin e Federatës së Futbollit. Qëllimi është edukimi dhe trajnimi i talenteve jo vetëm në kontekstin sportiv, por edhe në atë edukativ dhe personal.

Gjatë një prononcimi për fshf.org, tre nga lojtarët e “Elite Youth Development Academy” janë shprehur shumë të lumtur dhe të kënaqur me punën e bërë deri tani, duke shtuar se ky projekt do të bëjë ëndrrën e tyre realitet për t’u bërë futbollistë.

Advertisement

Besardo Ndoj – Jam Besardo Ndoj, portier te Vllaznia dhe jam pjesë e projektit “Elite Youth Development Academy”. Është shumë mirë dhe tani jemi mësuar. Trajnerët janë shumë të mirë dhe po kënaqemi në stërvitje. Janë shumë të sjellshëm dhe na ndihmojnë. Mua më pëlqen Etrit Berisha dhe dua të bëhem pjesë e Kombëtares. Shpresoj që ky projekt të më plotësojë ëndrrën.

Mateo Kapllani – Unë jam Mateo Kapllani dhe luaj me ekipin e AF Loris. Jam shumë i kënaqur për këtë projekt. Jemi shumë mirë dhe po kalojmë bukur. Ky projekt ka përmirësuar shumë fizikun tim. Unë dua të luaj me Bayern Munich dhe lojtari im i preferuar është Jamal Musiala. Nga Kombëtarja më pëlqen Kristjan Asllani dhe një ditë dua të luaj me Shqipërinë. Shpresoj që ky projekt të realizojë ëndrrën time që një ditë të bëhem futbollist.

Elez Elqeni – Përshëndetje unë jam Elez Elqeni. Jam lojtar i Partizanit, 13 vjeç dhe jam përzgjedhur te “Elite Youth Development Academy”. Ky projekt më pëlqen shumë, grupi është shumë i mirë, trajnerët po ashtu. Stërvitja shkon shumë mirë, kam përmirësuar teknikën dhe forcën. Besoj se për aq kohë sa është planifikuar ky program do të përmirësohemi shumë. Në të ardhmen e shikoj veten në vendin e Gjimshitit, sepse ai është lojtari im i preferuar në Kombëtare. E shoh veten pjesë të Kombëtares.

REDAKTUAR nga:

Advertisement

“KORÇA BOOM”

Continue Reading

Sporti

EURO 2025/ Shqipëria U-21 luan në “Air Albania” me Armeninë, dalin në shitje biletat

Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e fundit të Grupit E ndaj Armenisë më 15 tetor, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Sllovaki 2025”.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 18:00 dhe Federata e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares se nga sot do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre për ndeshjen Shqipëri U21 – Armeni U21 në ebileta.al . Çmimi i biletave është 200 lekë.

Biletat e ndeshjes: Shqipëri U-21-Armeni U-21

Advertisement

Procedura se si blihet bileta online:

Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.

Më pas, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas përzgjidhni ulësen.

Pasi keni përzgjedhur ulëset, duhet të plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat për biletat (mbiemër, emër, e-mail)

Advertisement

Në fund procedoni me pagesën, duke plotësuar të dhënat e kartës tuaj. Pasi të konfirmohet pagesa, bileta do të mbërrijë në adresën e-mail me të cilën jeni regjistruar në platformë.

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

Advertisement
Continue Reading

Flash News