top of page

Analizë/ Javë që foli shumë, por që nuk dha verdikte definitive

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 days ago
  • 2 min read

Updated: 1 day ago

Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e kampionatit, gjithçka duket se do të mbetet e hapur deri në javën e fundit, madje edhe deri në minutën e fundit të sezonit.


Kjo, sepse askush nuk mund të flasë me siguri të plotë për asgjë. Natyrisht që gara është garë dhe është e paparashikueshme, por duke qenë se të gjitha ekipet janë ende në lojë, pavarësisht objektivave të tyre, na pret një kampionat me rivalitet të fortë.


E nisim analizën nga kreu i renditjes, ku asnjë ekip nuk është i sigurt në vendin e parë. Favorizohet disi Egnatia, por matematika ende nuk e lejon të marrë frymë lirisht, pasi ndodhet nën kërcënimin e afërt të ndjekësve.



Vllaznia dhe Dinamo janë gjithashtu nën presionin e pikëve, ashtu si edhe vendi i katërt, që aktualisht mbahet nga Partizani. Ky i fundit, megjithëse me shpresa më shumë teorike, ndjen presionin e Elbasanit që kërkon ta nxjerrë nga zona e katërshes.


Ndërkohë, pesë ekipet e tjera janë përfshirë në garën për mbijetesë. Ato qëndrojnë shumë afër njëra-tjetrës në renditje, edhe pse disa janë momentalisht jashtë zonës së rënies. Laçi, që ndodhet në fund të tabelës, nuk është larg nga Skënderbeu i vendit të shtatë, pasi mes tyre janë vetëm katër pikë diferencë. Duke marrë parasysh që janë edhe gjashtë pikë në lojë, laçianët kanë ende arsye për të shpresuar.


Bylisi dhe Tirana janë dy ekipet që duket se janë "ngjitur" bashkë në fundin e renditjes dhe kërkojnë të shmangin rënien. Me pikë të barabarta, edhe këto dy skuadra janë pjesë e një gare tepër të ethshme.


Si përfundim, mund të thuhet se nuk ka ende verdikte përfundimtare për asnjë nga ekipet, me përjashtim të tre të parave, të cilat tashmë kanë siguruar fazën për titullin kampion.



“KORÇA BOOM”



 
 
bottom of page