Dita Botërore e Librit për Fëmijë
- Korca Boom
- Apr 10
- 1 min read
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit për Fëmijë, Biblioteka Publike “Thimi Mitko” organizoi një aktivitet të veçantë që bashkoi letërsinë dhe kujtesën e fëmijërisë në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocione. E ftuara speciale, shkrimtarja Sonila Strakosha, u takua me lexuesit e vegjël për të ndarë historitë dhe mesazhet e librave të saj: “Pse shoqet e përqeshin Martinen” dhe “Ngjyrat e jetës”.
Përmes një bashkëbisedimi të sinqertë e të ndjerë, fëmijët folën për ndjenjat, ngjyrat që sjell leximi dhe fuqinë e mirëkuptimit. Ata sollën pyetje dhe reflektime të sinqerta, duke dëshmuar se libri është ende ura më e bukur që lidh botët e tyre me njëri-tjetrin. Takimi u pasurua më tej nga një ekspozitë nostalgjike me kukulla të viteve 1960–1990 nga koleksioni i Mirgen Shambllit, e cila ngjalli shumë emocione tek prindërit dhe mësuesit që ndanin kujtime të fëmijërisë së tyre, ndërsa fëmijët njiheshin me lodrat e brezit të mëparshëm.
Në këtë veprimtari morën pjesë nxënësit e shkollave: “Stavri Themeli”, “Sevasti Qiriazi”, “Tefta Tashko Koço”, “Mësonjëtorja”, “Sotir Gura” dhe Shkolla 9-vjeçare “Belorta”. Biblioteka “Thimi Mitko” falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët që kontribuan për ta kthyer këtë ditë në një festë të fëmijërisë, librit dhe kujtimeve.
“KORÇA BOOM”
