E FUNDIT/ Infermieria korçare e shqetësuar për gjendjen fizike të disa lojtarëve
- Korca Boom
- Apr 11
- 1 min read
Të gjithë po punojnë që ekipi korçar të dalë me një fitore nesër kundër Tiranës, që nga stafi teknik deri te tifozët, secili po bën më të mirën e vet. Por duhet theksuar se ekziston edhe një staf tjetër që punon fort, ndonëse jo shumë në dukje: stafi mjekësor i ekipit korçar.
Nga sa mësohet, ka disa shqetësime dhe probleme fizike te disa futbollistë, por në veçanti për mbrojtësin e krahut të djathtë, Albi Doka, i cili po vuan pasojat e një dëmtimi nga ndeshja e kaluar.
Sipas burimeve, Doka e ka kaluar dëmtimin më të rëndë, por ende i nevojitet pak kohë rikuperimi që stafi mjekësor të japë një përgjigje përfundimtare nëse ai do të jetë gati për këtë takim – një gjë që trajneri Gjoka e pret me shumë interes, pasi dëshiron ta ketë në formacion.
Në fakt, Doka është një lojtar me shumë përvojë dhe në këtë moment, ekipi ka nevojë për një futbollist të tillë. Duhet pranuar gjithashtu se edhe Vangjeli, mbrojtësi tjetër i këtij krahu, është i dëmtuar, ndaj nëse Doka nuk rikuperohet në kohë, Gjoka do të detyrohet të mendojë për një zgjidhje tjetër në mbrojtje.
“KORÇA BOOM”
