Gjoba deri në 1 milion lek për fermerët që protestuan sot me mjetet e tyre bujqësore në Maliq
- Korca Boom
- Jul 22, 2024
- 1 min read
Fermerët që u ngritën në protestë sot me mjetet e tyre bujqësore në Maliq, janë gjobitur nga policia rrugore me gjoba që shkojnë deri në 1 milion lekë të vjetra për bllokimin e rrugës.
Urdhëri për largimin e fermerëve nga rruga ka ardhur nga drejtuesi i policisë së Korçës Gjovalin Loka, por kur protestuesit kanë bërë rezistencë ndaj tyre kanë nisur të vendosen gjoba. Sipas policisë, fermerët kanë bllokuar me zetorat e tyre qarkullimin e automjeteve në aksin Libonik-Drithas. Njëri prej tyre ka marrë 100 mijë lekë të reja gjobë, ndërsa 23 të tjerë kanë marrë gjoba më të ulëta.
E gjithë protesta është shoqëruar me përplasje dhe tensione mes qytetarëve të irrituar, të cilëve për të disatin vit radhazi, prodhimi po u mbetet pa shitur. Shqetësim kryesor i tyre është se kostoja e prodhimit është më e madhe se ajo e tregtimit.
Mungesa e subvencioneve nga qeveria ua vështirëson akoma më shumë punën atyre.
“Na ka vajtur atje ku nuk mban më. Si asnjëherë tjetër fermerët kanë ardhur në protestë. Jemi të penalizuar nga prodhimi i Kosovës. Jo vetëm i Kosovës, po marrin dhe nga Serbia dhe e sjellin këtu. Nuk shesim dot pataten, qepën, grurin e misrin. Si asnjëherë tjetër gruri është me 24 lekë kilogrami, turp i zi. Kostoja e grurit vete 30 lekë,”- tha njëri nga protestuesit.
