Na prishën lulet, por Viktor Gjika dha shpërblim 30 mijë lekë. Qytetari korçar kujton si u xhiruan filmat "Përballimi" dhe "Karnavalet" në banesën e tij
- Korca Boom
- Mar 28
- 2 min read
Updated: Mar 28
Korça konsiderohet një lloj kryeqyteti për numrin e lartë të filmave që janë realizuar deri para viteve 90-të. Dhe si në çdo film, krahas skenave masive me hapësirë, janë xhiruar edhe skenat e vogla në ambjentet e mbyllura. Të cilat zgjidheshin me vëmendje nga regjisorët, kryesisht edhe në funksion të subjektit të filmit.
Një banesë karakteristike korçare ku janë xhiruar dy filma është ajo e Qirinxhinjve. Shtëpia e tyre u pa si më e përshtatshme fillimisht për disa skena të filmit Përballimi dhe më pas Karnavalet e Korçës.
"Regjisori Viktor Gjika që është korçar ka banuar pranë nesh. Ai vendosi që shtëpia jonë e ndërtuar në vitin 1937 të përfshihej në xhirim për filmin Përballimi si banesa e sekretarit të partisë. Ja kërkoi këtë si një lloj nderi babait dhe mori pëlqimin e tij" tregon Gjergji Qirinxhi, që asokohe kur ndodhte kjo ishte fëmijë.
Ai kujton se një nga dhomat e shtëpisë u bllokua përkohësisht sepse u mbush me material dekori, e gjithçka që do të shërbente për xhirimin e skenave atje. Po kështu edhe oborri u zaptua me paisje e mjete të tjera të xhirimit të filmit. Çak pas çaku e dubël pas duble filmi Përballimi po bëhej një vepër e kryer.
Mirëpo puna për gatitjen dhe fillimin e skenave kishte edhe anën tjetër disi të rrumujshme që la të pakënaqur të zotin e shtëpisë. Oborri i banesës së Qirinxhinjve që binte në sy për lulet e shumta gati ishte shkatërruar nga ecejaket pa kujdes të ekipit realizues të filmit apo aktorëve.
"Mbaj mend që babai u zemërua për prishjen e luleve dhe kur regjisori Viktor Gjika i afroi 30 mijë lekë pagesë nuk pranoi. Vetëm ikni dhe mos më vini më për punë të tilla" ju kthye komshiut të tij regjisor" kujton Gjergji Qirinxhi.
Kërkesë kjo që e harroi, ose ishte i detyruar të mos e mbante parasysh prej strukturave të pushtetit të kohës që vendosnin për gjithçka, kur u realizua filmi tjetër Karnavalet e Korçës.
Me përjashtim këtë herë që i zoti i shtëpisë u qëndroi mbi kokë dhe u kujdes që të mos i dëmtohej oborri me lule, dhe që nuk ndodhi.
“KORÇA BOOM”
