Shkëmbi rikthehet në shtëpi/ Gjoka do 3 pikët me Skënderbeun!
- Korca Boom
- Apr 10
- 1 min read
Të shtunën në orën 15:30 do të kemi një nga duelet më të bukura dhe më interesante për javën e 33-të të superligës, teksa Skënderbeu do të presë Tiranën në përballjen që vlen vetëm 3 pikë për të dy skuadrat.
Nëse Skënderbeu fiton sigurisht që thuajse siguron qëndrimin në superligë dhe nga ana tjetër Tirana që ndodhet poshtë Skënderbeut do të kërkojë fitoren, teksa vjen me moral të lartë pas fitores në derbi.
Përveç duelit të madh që do të kemi në fushën e lojës, mes bardhekuqve dhe bardhebluve, do të kemi një duel po kaq të fortë në tribuna, ku “fanaticsat” do të vijnë në shtëpinë e “ujqërve”.
Po ashtu në tribunë do të kemi duelin Ardjan Takaj dhe Refik Halili, ndërkohë që dueli i pankinave është mes Ernest Gjokës dhe Bledi Shkëmbit.
Ish-kapiteni i Skënderbeut dhe njeriu legjendar që ka fituar trofe pafund me Skënderbeun, Shkëmbi rikthehet të mundë ish-skuadrën e tij dhe ndodhet në një situatë aspak komode me Tiranën, skuadër që e drejtonte, u largua dhe tashmë është rikthyer sërish.
Nga ana tjetër Ernest Gjoka që erdhi në pankinë pas largimi të Ivan Gvozdenoviç, kërkon të bëjë mrekullinë me Skënderbeun e tij, teksa disa javë më vonë thuajse nuk kishte shpresa fare pas rezultateve negative, ndërkohë që tani e shikon veten në vendin e gjashtë të tabelës së klasifikimit.
Kush do ta fitojë duelin Gjoka-Shkëmbi? Kjo mbetet për tu parë, por Shkëmbi e njeh mirë Skënderbeun dhe Gjoka do ti ngrejë “kurthin” për të treguar se bardhekuqtë është e vështirë ti mposhtësh në shtëpinë e tyre.
Suksese të dy teknikëve në pankinat e tyre!
“KORÇA BOOM”
