Skënderbeu/ Egjiptiani Saleh Nasr u premton tifozëve se ndaj Tiranës ai do të…
- Korca Boom
- Apr 9
- 1 min read
Ekipi i Skënderbeut në stërvitjet e këtyre ditëve nuk është jashtë syrit dhe interesimit të sportdashësve të vet, të cilët nuk lënë anash asnjë seancë stërvitore pranë ekipit. Ata janë një grup tifozësh relativisht i madh që ndjekin çdo seancë dhe janë gjithmonë të pranishëm për të mësuar se çfarë ndodh me ekipin dhe si është gjendja e futbollistëve.
Por jo vetëm kaq, këta fanatikë të ekipit i japin edhe më shumë moral futbollistëve, duke i pritur me duartrokitje në çdo fillim seance dhe madje i inkurajojnë se do t'ia dalin.
Kështu, në stërvitjen e ditës së sotme, në epërsi ka qenë sulmuesi Saleh Nasr, i cili ka pasur një koment shumë afër këtij grupi tifozësh dhe u ka garantuar: "Ju premtoj se do të shënoj ndaj Tiranës."
Kjo ka mjaftuar që tifozët të brohorasin dhe të duartrokasin sulmuesin e tyre, i cili është kthyer në një pikë të fortë në vijën sulmuese.
Ai ka ardhur tek korçarët nga merkatoja e janarit dhe është aktivizuar pothuajse si titullar në çdo ndeshje, duke shënuar shtatë gola, nga të cilët tre kundër Dinamos. Në ndeshjen e fundit ishte Bismark që mori situatën me dy gola të shënuar. Pak rëndësi ka kush shënon, rëndësi ka fakti që Skënderbeu fiton dhe dy sulmuesit po tregojnë një formë shumë të mirë sportive.
"KORÇA BOOM"
