top of page

Sot aktori i korçar Arben Dervishi feston 62 vjetorin e lindjes!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 11
  • 2 min read

Sot aktori i humorit Arben Dervishi feston 62 vjetorin e lindjes dhe ne i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera!


Arben Dervishi (1963). Aktor. Lindi në Korçë, më 11 prill. Mbaroi studimet e larta në Akademinë e Arteve për aktor (1988) dhe fill më pas u emërua në Estradën Profesioniste të Korçës. Shpejt u bë nga aktorët që mbante një peshë të madhe në premierat e tij.

Ka luajtur mbi 100 role në skeçe e forma të shkurtra dramaturgjike për teatrin e varietesë, si në shfaqjet:



“Pse të mos qeshim”, “Vesh më vesh”, “Si t’ia vemë emrin”, “Qyteti i ëndrrave”, “Na falni për vonesën”, “Ku e lamë fjalen”?


A. Dervishi është aktor energjik, operon me elementët e burleskut, por pa e përdhosur vërtetësinë dhe organicitetin e ndjenjës komike; ka aftesinë e krijimit të karaktereve të mëvetësishme: njerëz të rëndomtë, pijanecë, mashtrues, mburravecë etj.

Te skeçi Bosi e profesorja krijoi tipin e tregtarit qesharak e të pafytyrë, që ndonëse i pashkolluar, ishte pasuruar në udhë jo të ndershme. Karaktere të spikatura realizoi edhe në materiale të tilla humoristike si: “Gjykata e Kasacionit”, “Bishti i shqiptarit”, “Materniteti”, “Polici”, “Sokakët e të marrëve etj.


Në komedine “Jovan Bregu refugjat” (1998) të Adelina Balashit luajti rolin e Jovanit, tashmë në një situatë tjetër, veçse gjithnjë ai mburravec, parazit dhe rrenacak, veti të cilave autori u dha një formë të mprehtë humoristike duke luajtur me kundërveniet e shpeshta midis gjendjes reale të personazhit dhe të shtirurit, ndryshimit të beftë nga situata për t’i shpëtuar demaskimit, sikurse edhe manipulimit të fakteve, akraballekut etj.



Në komedinë “Zonjusha 39 vjeçe” e Saqellaresit interpretoi me hir komik rolin e Nikut, dhëndrit pretendent të ardhur nga Kontinenti, duke shfrytëzuar me zgjuarsi befasimet dhe replikat humoristike.


Në produksionin televiziv Portokalli të Tv Top-Channel ka luajtur disa role, por spikati me banakierin.


Në fillim te vitit 2000 emigroi në SHBA, por aktivizohet në Shqiperi me projekte të ndryshme here pas here.


 “KORÇA BOOM”



 
 
bottom of page