Ikona e atletikës Pavlina Evro zgjidhet Presidente e KOKSH Rajonal të Korçës
- Korca Boom
- 4 days ago
- 1 min read
Updated: 3 days ago
Një tjetër vlerësim maksimal për ikonën e sportit shqiptar, Pavlina Evro, e cila ka marrë një detyrë të re në funksion të zhvillimit të sportit dhe të olimpizmit në rajonin e Korçës.
Përveç faktit që Evro është tashmë anëtare e kryesisë së Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ajo do të drejtojë tani edhe të gjithë lëvizjen sportive në këtë rajon, duke mbajtur mbi supe një përgjegjësi të madhe dhe të rëndësishme.
Pavlina Evro nuk është e re në këtë mision. Ajo ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj masivizimit dhe zhvillimit të sportit, sidomos në fushën e atletikës. Në të kaluarën, ajo ka qenë promotore e projekteve që kanë përfshirë qindra fëmijë, duke krijuar baza të forta për të ardhmen e sportit në vend.
Në rolin e saj të ri, Evro pritet të jetë edhe më e qartë dhe konkrete në strategjinë që do të ndjekë, për të garantuar sukses dhe për të forcuar më tej sportin në këtë rajon. Ajo pritet të shpalosë programe dhe ide të reja që do të kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të sportit.
Korça, falë emrit të madh që Pavlina Evro përfaqëson, do të ketë tashmë një mundësi më të madhe për të përthithur fondet e nevojshme për një zhvillim cilësor dhe rezultativ të sportit, si në nivelin shkollor, ashtu edhe në një kuadër më të gjerë.
“KORÇA BOOM”
