top of page

Kujtojmë sot në 93 vjetorin e lindjes aktorin dhe regjisorin e mirënjohur korçar Piro Mani (1932-2021)

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 14
  • 2 min read

Një nga personalitetet më të shquara në historinë e Teatrit shqiptar, Piro Mani sot do të festonte ditëlindjen e 93-të të tij. Mani konsiderohet si një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar. Edhe pse ka provuar të jetë dhe aktor, regjia do të mbetej pasioni i tij më i madh që e identifikoi për nervin me të cilin e shihte një vepër artistike dhe për nxitjen që u jepte aktorëve për të dhënë maksimumin.


Me dhjetëra shfaqje të vëna në skenë që mbajnë firmën e tij regjisoriale, i kanë dhënë një vend nderi në artin shqiptar.

Pirro Mani do ta linte teatrin pas viteve ’90, atëherë kur ndryshimi i sistemit solli dhe një kaos social e kulturor. Iku, por vështrimin e mbajti gjithnjë pas, tek ajo jetë e mbetur në çdo cep të godinës së Teatrit.



Me emocion dhe mall regjisori i njohur, Piro Mani do të rikthehej pas 15 vitesh mungesë në Teatrin Kombëtar, ku aktorë dhe regjisorë të brezave të ndryshëm do ta prisnin me duartrokitje dhe nderim mjeshtrin e skenës.


“Bashkë me Pavlinën kemi shumë mall, na mungoni shumë. Na mungojnë shokët, ndërsa ju e kini njëri-tjetrin këtu. Unë kam mall për çdo aktor, për çdo punëtor skene, për elektricistin, edhe në Korçë kur shkova, sepse ne kemi pasur rastin që të punojmë dhe atje”, do të shprehej në fjalën e tij regjisori i shquar, Pirro Mani.


Vitet e gjata të qëndrimit në New York do t’i shërbenin Pirro Manit, për të shkruar edhe dramën shqipe të titulluar “Njeriu hibrid”, që trajton luftën e klasave në Shqipërinë e viteve 70. Ajo u vu në skenë e Teatrit Kombëtar në vitin 2015.


Piro Mani lindi më 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Mani i përket asaj plejade artistësh shqiptarë që studiuan në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror Gitis. Karrierën si regjisor e nisi në Teatrin e qytetit të tij të lindjes Korçë, ku punoi rreth 8 vjet. Në Teatrin Kombëtar ai erdhi për herë të parë në vitin 1967, ku spikati menjëherë për talentin dhe forcën me të cilën e shihte teatrin.



Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale. Si pedagog ai ka dhënë kontribut në daljen e një sërë brezash artistësh që bëjnë sot teatër. Ndër veprat e tij mund të përmendim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Cuca e maleve”, etj. Pirro Mani mban titullin “Artist i Popullit”. Kinemaja ka qenë një tjetër stacion në jetën e tij. Ai ka interpretuar si aktor në filmin “I teti në bronz” rolin e Sali Protopapës, apo “Vitet e para”. Roli i tij i fundit ka qenë në filmin “Barbarët” me regji të Liri Begesë.

Prio Mani lindi më 14 prill 1932 dhe u nda nga jeta më 3 qershor 2021!


 “KORÇA BOOM”





bottom of page