LAJM I FUNDIT/ Pogradeci mund Skënderbeun në ndeshjen e dytë
- Korca Boom
- 3 days ago
- 3 min read
Pogradeci - Skënderbeu 3-2
(25-23, 24-26, 26-24, 23-25, 15-13)
Ka përfunduar në këto momente në pallatin e sportit në Pogradec ndeshja e dytë e “play-off”-it mes Pogradecit dhe Skënderbeut, një ndeshje dramatike, e bukur dhe me shumë rivalitet, që zgjati plot 2 orë e 6 minuta. Në fund fitues del Pogradeci duke barazuar tashmë takimet në 1-1 dhe do të duhet edhe ndeshja e tretë dhe finale për të shpallur më pas finalisten tjetër të këtij edicioni.
Seti i parë fillon me avantazin e ngushtë të korçareve 1-2, 3-5, 5-6 dhe barazimi i parë do të vinte në pikët 7-7. Pas këtij momenti sërish kemi baraspeshë ku shifrat herë pas here shënojnë 10-10, 14-14, 17-17 dhe këtu Pogradeci kalon dy pikë para 19-17. Ky kryesim prej dy pikësh është më tej 22-20, apo edhe 24-22, ndërkohë që seti i parë mbyllet me rezultatin e ngushtë 25-23 dhe 1-0 për pogradecaret.
Seti i dytë i ndeshjes fillon sërish me avantazhin e bardhekuqeve që kryesojnë 1-3, 3-4 dhe rezultati barazohet në 5-5. 7-5 për Pogradecin dhe më pas sërish Skënderbeu barazon në shifrat 9-9. Ka baraspeshë totale në këtë set, teksa disa nga barazimet janë 14-14, 15-15 dhe 19-19. Në pikët e fundit dhe më konkretisht pas barazimit 22-22, janë korçaret që përpiqen, por u deshën pikët shtesë pasi tabela elektronike shënoi 24-24. Dy pikët e fundit i takojnë Skënderbeut 24-26 dhe tashmë kemi barazim setesh në 1-1.
Seti i tretë i takimit fillon menjëherë me avantazhin e thellë të Skënderbeut 0-6, ndërkohë që pogradecaret nuk mbledhin dot veten në këtë fillim seti. Më pas janë pogradecaret që zgjohen dhe arrijnë të shënojnë 4 pikë radhazi duke çuar shifrat në 4-6. Sërish avantazh i Skënderbeut 6-10 dhe përsëri avantazhi ngushtohet në favor të Skënderbeut 11-12. Loja është e bukur më tej, 14-16. Kemi barazimin e parë në këtë set në pikët 17-17 dhe Pogradeci kalon për herë të parë në avantazhin 19-18. Barazim më tej 20-20 dhe në pikët e fundit 23-21 në favor të Pogradecit dhe pushim për Skënderbeun. Pas pushimit rezultati barazohet në 24-24 dhe duhen pikët shtesë për fituesen e këtij seti. Është Pogradeci që këtë herë nuk fal dhe 26-24 dhe tashmë gjendja e seteve shkon në 2-1 për vendaset.
Në setin e katërt kemi sërish një start me avantazh të ngushtë për miket 3-4 dhe përsëri me 1 pikë diferencë 5-6. Më pas përpjekje nga të dy ekipet, por shifrat barazohen në 11-11 dhe për herë të parë në këtë set kemi edhe avantazhin 12-11 në favor të vendaseve. Por pas këtij momenti është Skënderbeu që luan shkëlqyer dhe pa gabime dhe thellon diferencën në 14-20. Pas këtij momenti është Pogradeci që përpiqet shumë dhe ngushton diferencën e pikëve deri në 22-23, por vetëm kaq, pasi është Skënderbeu që e fiton këtë set 23-25 dhe tashmë gjendja e seteve barazohet në 2-2 dhe duhet seti final për fituesen.
Seti i pestë dhe i fundit i takimit nis me barazimin 1-1, apo edhe 4-4, teksa në këtë moment Skënderbeu kalon për herë të parë në avantazh 4-6. Sërish është Skënderbeu që thellon avantazhin në 5-8 dhe ka pushim për liqenoret. Pas pushimit shifrat shkojnë në 7-9 dhe janë pogradecaret që e ngushtojnë diferencën në 9-10, madje kemi edhe barazimin 10-10, ku momentet e mëtejshme janë me të vërtetë dramatike dhe me plot emocione. 13-11 për Pogradecin që është pranë fitores së madhe të setit final dhe në fund 15-13 dhe 3-2 me sete për Pogradecin që e kthen në festë këtë ndeshje duke mposhtur kampionet në fuqi.
Tashmë duhet ndeshja e tretë për të përcaktuar skuadrën që do të kalojë në finalen e këtij sezoni, por Pogradeci tregoi se Skënderbeu e ka të vështirë këtë sezon dhe pak ditë më vonë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” do të mësojmë edhe fituesen e derbit juglindor, në ndeshjen e tretë.
“KORÇA BOOM”


