top of page

SHËN GJERGJI - shenjti mbrojtës i qytetit të Korçës!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 4 days ago
  • 2 min read

Sipas traditës mesjetare qytetet kishin shenjtin e tyre mbrojtës, një figurë historike që kish treguar trimëri dhe guxim për tu përballur me të keqen dhe që kishte dalë fitimtar ndaj saj. Korça ka patur Shën Gjergjin si shenjt mbrojtës, para se të vinte aty Ilias (Ilia) bej Mirahori (1498) që, gabimisht (sipas meje), njihet si themeluesi i qytetit.


- Nuk është rastësi që aty ku ishte një kishë e vogël dhe e vjetër, korçarët, me kontributet e tyre, ndërtuan Katedralen madhështore që mbante emrin e tij - Katedralja e Shën Gjergjit (1905) - e cila vite më vonë u rafshua barbarisht në kuadër të luftës kundra “zakoneve prapanike dhe besimeve fetare” (1970).


- Po ashtu nuk ishte rastësi që bulevardi ku janë përqëndruar shumica e godinave historike të qytetit si Mësonjëtorja e parë shqipe, Shtëpia e Flamurit, Kinema Lluksi, Shtëpia e Kosturëve apo ajo rumune e Tashko Ilos (sot Pedonale), mbante emrin e tij - Bulevardi “Shën Gjergji.


- Nuk është rastësi që aty, në atë Katedrale, për herë të pare, Imzot Noli meshoj në gjuhën shqipe.


- Aty ishte i ballsamosur edhe bamirësi më i madh i qytetit – Anastas Lakçe, në shenjë respekti e nderimi nga qytetarët e Korçës për bamirësitë e tij. Edhe sarkofagu i tij, fatkeqësisht, u bë pluhur e hi së bashku me Katedralen për ndërtimin e të cilen ai kontribuoi aq shumë.


Shën Gjergji ishte një luftëtar i Perandorisë romake që përqafoi kristerimin dhe u sakrifikua për të me prerje koke, në 23 prill 303 e.s. Ai njihet si vrasësi i Dragoit, personifikimit të së Keqes dhe arti i kohës e tregon të hipur mbi një kalë të bardhe, me shtizë në dorë, duke vrarë dragoin.


Mbase duket e parealizueshme por, nëse do të varej prej meje, ajo Katedrale duhet ringritur aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, për t’iu kujtuar brezave që vijnë se ky qytet ka ende kujtesë!



“KORÇA BOOM”



bottom of page