SKANDAL: Në Korçë mbi 100 mësues pa marrë rrogën. Qeveria s’ka lek
- Korca Boom
- Jul 11, 2023
- 2 min read
Sot është data 11 korrik dhe mbi 100 mësues të rrethit të Korçës ende nuk kanë marrë rrogën e këtij muaji. Është data 3 apo 4 e çdo muaji që mësuesit në të katër anët e vendit marrin rrogat e muajit pararrdhës, ndërkohë që sot edhe pse kanë kaluar shumë ditë janë mbi 100 mësues që akoma nuk kanë marrë rrogën.
Burime të “Korça Boom” bëjnë me dije se ata mbi 100 mësues që nuk kanë marrë rrogën akoma, janë mësues të shkollave 9-vjeçare të rrethit të Korçës dhe mësues që e marrin rrogën në bankën Raiffeisen Bank.
Në fakt, të njëjta burime bëjnë me dije se nuk është faji i bankës në fjalë, por thesari nuk ka lek që të kalojë shumën financiare në këtë bankë.
Me pak fjalë, Qeveria shqiptare që bën planifikimin për rrogat e arsimtarëve nuk e ka planifikuar ashtu siç duhet këtë që po ndodh dhe për pasojë “kurban” janë bërë mbi 100 mësues në rrethin e Korçës.
Dhe, ajo që është edhe më shumë se skandal ka të bëjë me atë se, të paktën edhe ditën e nesërme këta mësues nuk kanë për ta marrë rrogën akoma, ndërkohë që duhen pritur në vazhdim për të mësuar fatin e tyre.
Se duhet të çojnë rrogën në shtëpi këta mësues për të ushqyer fëmijet e tyre, se duhet të paguajnë kredinë ata që kanë kredi, për këtë shteti shqiptar as që nuk pyet fare. Në fund të fundit është djersa e tyre dhe u takon që ta marrin, por jo Qebveria të tallet në këtë mënyrë.
Moment pas momenti “Korça Boom” do të jetë në kontakt në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë, por që mosmarrja e pagave edhe kur ka kaluar më shumë se një javë, është më shumë se një skandal për këtë Qeveri, që nuk e çan fare “kokën” për arsimtarët.
