top of page

TË RINJTË DHE POLITIKA / Nga Nertil Jole

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 3 min read

TË RINJTË DHE POLITIKA

NGA Netil Jole


Të rinjtë dhe politika është binomi që meriton gjithmonë vëmendje të posaçme. Politika pa të rinjtë duket e mpakur, të rinjtë pa politikën janë zëra të heshtur për vendimet që i prekin më shumë.


Trendi global i lëvizjes së të rinjve është fenomen që ka prekur çdo shoqëri, nga ku as komunitetet tona nuk bëjnë përjashtim. Diskursi për të ardhmen nuk mund të përjashtojë fokusin nga të rinjtë. Idealisht ata vetë duhet të marrin një rol shumë më proaktiv e qëndrestar, siç brezat e tjerë duhet të jenë shumë herë më të hapur e insistues për t’i afruar ata në gjirin e skuadrave, si aleatë të ndryshimit. Asnjë forcë politike më shumë sesa Partia Socialiste nuk e mishëron këtë model.


Gjatë viteve të mia të studimeve në Angli, një nga "rutinat" e preferuara ishte të ndiqja rregullisht "Pyetjet e Kryeministrit" (Prime Minister's Questions), seancë e cila zhvillohet si traditë e kahershme në parlamentin anglez çdo të mërkurë në orën 12:00, gjatë së cilës kryeministri iu përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të parlamentit.


E sjell këtë shembull vetjak, për të nënvizuar dobinë që ka informacioni që të rinjtë duhet të marrin në vazhdimësi, për të maksimizuar interesat e tyre jo nëpërmjet indiferentizmit, por nëpërmjet përfshirjes që forcon zërin e tyre, sidomos atë kritik, duke përdorur platformat dhe instrumentet e kohës, me objektivin e ndikimit dhe përcaktimit të trendeve vendimmarrëse kah linjës së vizionit të tyre.


E bëra këtë hyrje për të nënvizuar një dimension relativisht të munguar në realitetin shqiptar, që në vlerësimin tim ngelet jetik për perspektivën e marrëdhënies që të rinjtë duhet të ndërtojnë me interesin për të mos qenë thjesht konsumatorë të jashtëm të politikës, por edhe të angazhuar indirekt apo direkt në këtë mjedis të jetës publike e politike.


E di se jo të gjithë të rinjtë kanë pasionin për t'u marrë me politikë dhe kjo është krejtësisht normale. Por, misioni i tyre individual i lidhur me edukimin profesional dhe rrugëtimin në karrierë, herët a vonë do të përballet me vendimmarrjet e politikës. Ndaj, kujdesi për ta parë udhën e tyre drejt suksesit, meriton të jetë i shoqëruar (pjesërisht a më shumë se kaq), me kontributin për të afruar sa më shpejt të ardhmen, jo si nocion kohe sigurisht, por si plotësim sa më të pavonuar të aspiratave të tyre.


Detyra që kam si i angazhuar në jetën publike në realitetin ku jetoj e punoj, nuk është vetëm të shërbej brenda kornizës institucionale, por edhe të përçoj në çdo audiencë me të rinj të Korçës e gjithë qarkut, mesazhin e ftesës dhe mbështetjes sime të vazhdueshme që ata t'i bashkohen me angazhimin e tyre të pazëvendësueshëm, përpjekjes së përbashkët për anëtarësimin e Shqipërisë sonë në familjen e Bashkimit Europian. Ky nuk është slogan zgjedhor, është një rrugëtim që kërkon parapërgatitje që sot, për të qenë ata vetë të avantazhuarit e parë, ditën kur Shqipëria zyrtarisht do të jetë pranuar në gjirin e familjes së BE.


"Shqipëria 2030" mund të mbërrijë më herët sesa viti 2030, nëse këtë së pari e vendosin të rinjtë. Me përkrahjen sa më masive të tyre dhe përfshirjen sa më aktive në politikë, realizimi i këtij projekti kombëtar e patriotik, do mbante ndezur dritën jeshile të një perspektive dobiprurëse të pakthyeshme, si dhe do të vendoste në raftin e historisë portretet e zbehta aspak premtuese, që tentojnë të mbajnë peng shkëlqimin e kohës.



“KORÇA BOOM”



bottom of page