top of page

VOLEJ MESHKUJ/ Super Skënderbe në Tiranë. Fiton me përmbysje në 2 orë lojë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 4 days ago
  • 2 min read

Tirana – Skënderbeu 2-3

(25-21, 25-19, 20-25, 21-25, 6-15)

 

Skënderbeu në volejboll për meshkuj ka arritur një fitore të çmendur në këto momente në Farkë, që pas 2 orë lojë ka mundur me përmbysje Tiranën 3-2. Askush nuk e priste që pas avantazhit 2-0 me sete për Tiranën, Skënderbeu të kthente lojën dhe të fitonte tre sete radhazi, duke fituar dhe duke barazuar tashmë ndeshjet në 1-1. Tirana e mundi Skënderbeun në Korçë dhe Skënderbeu e mundi Tiranën në kryeqytet.



Seti i parë i ndeshjes fillon me barazime të njëpasnjëshme 2-2, 4-4 dhe pavarësisht se Skënderbeu kryeson me ndonjë pikë diferencë në vazhdim, sërish kemi barazimin 12-12. 18-17 për Tiranën është avantazhi më i ngushtë i Tiranës që më pas nuk toleron më, duke kryesuar 20-18, 22-19 dhe në fund 25-21 dhe 1-0 me sete për Tiranën.


Në setin e dytë Skënderbeu nuk mundet të reagojë edhe pse në pikët e para sërish kryeson 3-5, 6-8, por më pas barazohen shifrat në 10-10. Pas këtij momenti është Tirana që kryeson 15-12 dhe 17-14 diferencë e administrueshme më së miri, teksa më pas  21-17 dhe e mbyll edhe këtë set 25-19 dhe tashmë gjendja e seteve shkon në 2-0.


Seti i tretë i takimit flet për Skënderbeun që kryeson 3-5, 5-9 dhe diferenca më e madhe është kur tabela elektronike shënon 13-20. Më pas 17-22 po për Skënderbeun dhe në fundin e setit të tretë 20-25 për bardhekuqtë dhe tashmë diferenca e seteve ngushtohet në 1-2.



Pas fitores së setit të tretë, Skënderbeu ka marrë zemër dhe në setin e katërt pas barazimit 4-4, kryeson 6-7, 7-9, apo edhe 9-12, diferenca më e madhe e pikëve deri në këtë moment. Këtu ka pushim për Tiranën. Edhe pas këtij momenti Skënderbeu shënon edhe 3 pikë të tjera dhe 9-15 dhe sërish pushim po për Tiranën. Skënderbeu nuk fal më tej, duke treguar se nuk mund të dorëzohet lehtë dhe lojë e bukur e djemve të Arben Priftit që kryesojnë thellësisht 13-21 dhe mbyllin këtë set 21-25 në favorin e vet. Barazim i çmendur në sete 2-2 nga ana e Skënderbeut që mundej 2-0, por fiton dy sete radhazi.


Seti i pestë dhe i fundit i këtij takimi maratonë me pesë sete starton me barazimin 1-1. Më pas Skënderbeu kryeson 2-4, duke luajtur me kujdes dhe duke vijuar kryesimin 3-6 dhe në këtë moment Tirana detyrohet të marrë pushim. Edhe pas pushimit Skënderbeu nuk ndalet teksa kryeson 4-9. Edhe më pas Skënderbeu administron më së miri avantazhin dhe kryeson 6-12 dhe mbyll setin 6-15 duke marrë një fitore të madhe dhe të bukur në kryeqytet.


Tashmë do të duhet ndeshja e tretë për të përcaktuar finalistin, ndërkohë që sot Skënderbeu meriton një Bravo të madhe.


Urime “Ujqërit” e rrjetës!



 “KORÇA BOOM”





bottom of page